PRISHTINE, 4 prill 2013 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan sot kundër një mocioni të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila parashikonte shkarkimin e Bajram Rexhepit për skandalet në Ministrinë e Punëve të Brendshme që ai drejton.

Me 51 vota kundër, 34 pro dhe tre abstenime nuk është miratuar mocioni i Lëvizjes së Albin Kurtit.

Pas votimit deputetët e kanë ndërprerë seancën për të vazhduar të premten prej orës 10.

Si kundërpërgjigje, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi ka kërkuar sqarime për pasurinë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ministri ka thënë se deputeti i Vetëvendosjes duhet të sqarojë se si ka bërë privatizimin e një fabrike të farërave, si e ka ndërtuar shtëpinë luksoze në Prishtinë apo për biznese të tjera që përfaqëson.