Një dron ushtarak amerikan, MQ-9, u rrëzua të mërkurën nga rebelët Houthi të Jemenit, thanë dy zyrtarë amerikanë dhe grupi rebel i lidhur me Iranin.
Dronët amerikanë janë rrëzuar edhe në të kaluarën nga rebelët Houthi, por ky incident vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon. Uashingtoni është në gatishmëri të lartë lidhur me aktivitetet e grupeve të mbështetura nga Irani, ndërsa tensionet rajonale vazhdojnë të thellohen mes luftës së Izraelit kundër Hamasit.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se droni i prodhuar nga firma “General Atomics”, ishte rrëzuar në brigjet e Jemenit. Ata nuk thanë nëse droni ishte qëlluar në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Një zëdhënës ushtarak i lëvizjes Houthi tha përmes një deklarate se ata e kishin rrëzuar dronin në hapësirën ajrore mbi ujërat territoriale të Jemenit.
Në vitin 2019, rebelët Houthi rrëzuan dronë amerikanë në dy raste të veçanta në Jemen. Pentagoni ka dërguar mijëra trupa në rajon në përpjekje për të frenuar përhapjen e konfliktit, përfshirë dy aeroplanmbajtëse. Disa nga ato trupa kanë shërbyer në Detin e Kuq. Muajin e kaluar, një luftanije amerikane eliminoi katër raketa dhe më shumë se një duzinë dronësh të lëshuar nga rebelët Houthi në Jemen drejt Izraelit. /VOA