Ajo që duhej të ishte një ditë feste është kthyer në tragjedi në ishullin portugez të Madeiras. Rrëzimi i një peme, gjatë ceremonisë fetare me rastin e festës së Shën Mërisë, i kushtoi jetën të paktën 11 personave e plagosi dhjetëra të tjerë.

Ngjarja ndodhi në një shesh të mbushur me njerëz pranë kishës në fshatin e Montes, në kodrat përballë qytetit kryesor Funchal. Një video tregon momentin kur pema rrëzohet mbi personat që ishin mbledhur për të shijuar festimet nën rrezet e diellit. Viktimat po prisnin nisjen e procesionit në rrugë, pas meshës së mbajtur në kishë.

Televizioni portugez “RTP” raporton se mes viktimave janë edhe dy fëmijë. Pema që u rrëzua ishte 200-vjeçare dhe, sipas medieve lokale, 3 vite më parë ishte identifikuar si e rrezikshme për njerëzit dhe pronat atje. E njohur edhe si festa e “gruas së malit”, ajo është më e rëndësishmja që organizon ishulli i Madeiras dhe josh çdo vit mijëra vizitorë nga e gjithë bota.