Komisioni Rregullator i KQZ-së, ka hedhur poshtë propozimin e Partisë Demokratike, që fushata e zgjedhjeve lokale të pjesshme për 6 bashki të nisë në datën 7 shkurt, duke vendosur që ajo të fillojë më 19 shkurt.

Në mbledhjen e sotme Komisioni vendosi: “25 Janari është afati i fundit për të dorëzuar propozimet për KZAZ. Data 6-9 shkurt është afati për dorëzimin e dokumenteve dhe brenda 31 Janarit të dorëzohet kërkesa për regjistrimin e partive të koalicionit”.

Më herët sot, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njohu zyrtarisht Lulzim Bashën si kryetar të PD dhe kjo parti ka dërguar përfaqësuesit e saj në këtë institucion për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i është drejtuar juristit Ivi Kaso duke thënë se ai nuk ishte më përfaqësues i PD, pasi Lulzim Basha ka dërguar në këtë institucion dy përfaqësues të tjerë, Indrit Sefën dhe Marash Logun.