Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin për çështjen e sekuestrimit të vilave që dyshohen se janë pasuri e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Në këtë mënyrë dy vilat do të vazhdojnë të jenë në sekuestro preventive.
Njëra vilë ndodhet në Hamallaj të Durrësit ndërsa tjetra në bregdetin e jugut të vendit dhe përdorej nga ish-bashkëshortja e Ahmetajt.
Vendimi i sekuestrimit të dy pronave erdhi si rezultat i hetimit të regjistruar nga SPAK për ish-zëvendëskryeministrin, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Pak ditë më parë, po me miratim të Gjykatës së Posaçme, SPAK sekuestroi 4 banesa dhe dy llogari bankare në vlerën e 124 mijë Eurove në emër të Arben Ahmetajt.
Më 24 korrik, Ahmetaj u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Avokati i tij është shprehur se ai ndodhet në Angli, ndërsa vetë Ahmetaj nga arratia, me anë të dy postimeve në rrjetin e tij social Facebook, ka mohuar akuzat e ngritura duke e konsideruar hetimin ndaj tij si politik dhe përndjekje.