Dhërmi, 14 gusht 2014 – Pronari i lokalit ku punonte kamerieri që u gjet sot i vdekur në Dhërmi është vënë në pranga me dyshimin se ka gisht në krim.
Sipas policisë së Vlorës, personi i arrestuar është Altin Imeraj, i njohur me emrin “Tan Maloku”. Viktima punonte prej 10 ditësh si kamerier sezonal në restorantin e Imerajt në Dhërmi.
28-vjeçari nga Elbasani, me iniciale D.V. është gjetur sot i vdekur në breg të detit. Në trupin e tij janë konstatuar shenja të shumta dhune.
Dyshohet se ai kishte humbur 500 mijë lekë të reja dhe kjo mund të ketë lidhje me vrasjen e mundshme, duke qenë se versioni zyrtar i vdekjes së tij nuk dihet ende.
Dyshimet e policisë për vrasje janë përforcuar edhe nga dëshmia e një tjetër punonjëseje të hotelit. Dorina Sako ka mbërritur e dhunuar në spitalin e Vlorës. 43-vjeçarja ka deklaruar se është dhunuar nga pronari i hotelit, duke e akuzuar atë njëherësh edhe për vrasjen e kamerierit nga Elbasani. Bluzat e bardha të spitalit të Vlorës thanë se 43-vjeçarja është paraqitur me goditje në kokë, duar dhe fraktura në të gjithë trupin, por është jashtë rrezikut për jetën. Sipas tyre, punonjësja e lokalit është dhunuar rreth orës 4 të mëngjesit të së Enjtes. Policia është duke marrë në pyetje 43-vjeçaren, për të zbardhur deklaratat e saj dhe për t’i vërtetuar ato
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





