Me përfundimin e kontratës koncensionare për pullat te mallrat e akcizës në dhjetor 2024, sipas vendimit të marrë nga qeveria, prodhimi nga 2025 do të bëhet nga një person i autorizuar i Këshillit të Ministrave.
Shoqata e Prodhuesve të Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive në letrat dërguar ministrit të Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhes dhe ministres për Shtetin, Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj kërkojnë të shqyrtohet mundësia e heqjes së detyrimit të pajisjes me pulle fiskale për birrën.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve të Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase Sajmir Laçej në letër argumenton se në të gjitha shtetet e botës nuk aplikohet pullë akcize për birrën, sepse krahasuar me produkte të tjera akcize, birra ka një ngarkesë të ulët taksimi të lidhur me përqindjen nën 5% alkool dhe 95% ujë. Sipas tij prodhimi i birrës në vend kryhet në kushte mbikëqyrje nën regjimin e Magazinave Fiskale të Prodhimit, sistem monitorimi nga doganat dhe deklarimet online dhe e bën të panevojshëm vendosjen e pullës fiskale.
Ndërsa Xhimi Begeja Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Mikrobirrarive tha se tarifa për pullën koncensionare ka shtuar kostot te prodhuesit e vegjël, që u goditën edhe nga rritja e akcizës.
“Të gjithë ne 10 mikrobirrari prodhojmë 3000 Hektolitra në vit dhe kur mendon që shumica e vendeve të botës e kanë taksën zero për sasitë deri 1000 Hektolitra në vit, mendoni sa larg keni shkuar duke na kërkuar edhe pulla, autorizime dhe garanci, kamera e akses on line. Kosova nuk i takson fare prodhuesit e vegjël deri në 1000 Hektolitra”, thuhet në letër.
Nga Shoqata e Mikrobirrarive kërkohet të shikohet mundësia të hiqet akciza për prodhim deri 1000 HL në vit siç aplikohet në BE dhe rajon.
Nga Kuvendi i Shqipërisë kontrata koncesionare me “SICPA Security Solutions” u miratua në shkurt të vitit 2011, por data e nisjes së mbetej e paqartë. Nga një grup i përbashkët pune nga Ministria e Financave dhe Avokatura e Shtetit u përcaktua, se data efektive e kontratës ishte 6 Shkurt 2013. Për rrjedhojë koncesioni i pullave fiskale me afat zbatimi 10 vjeçar duhet të përfundonte në 6 shkurt 2023. Ndërkohë, pretendimet e kompanisë “SICPA Security Solutions Albania” ishin që kontrata të shtyhej për një afat 10-vjeçar, pasi nuk ishte realizuar komponenti i vendosjes së pullave fiskale te barnat.
Sakaq zbatimi i kontratës koncensionare po shkaktonte shumë pakënaqësi te bizneset , për shkak të tarifës së lartë që paguanin në një kohë kur ky koncesion vetëm sa kishte shtuar ngarkesën fiskale dhe nuk i kishte shërbyer qëllimit të tij për të luftuar evazionin dhe kontrabandën.
Në Shqipëri tarifa e pullave fiskale te birra ishte 22,4 USD për 1,000 copë, ndërsa në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD. Sipërmarrësit vendas paguajnë gati rreth herë më shumë në raporti me çmimin mesatar të pullave në Europë.
Pas pretendimeve të palëve, Ministria e Financave propozoi projektligjin për shtyrjen e kontratës deri më dhjetor 2024, edhe me 2 vite të tjera, që më pas u miratua edhe nga Kuvendi. Gjithashtu u rishikua tarifa me ulje 10% nga tarifa e mëparshme që paguhej prej biznesit.
SHOQATA E PRODHUESVE DHE TREGTUESVE TË PIJEVE ALKOOLIKE VENDASE
Drejtuar: Z. Ervin Mete Ministër i Financave
Z.Blendi Gonxhe Ministër i Ekonomisë Kulturës Inovacionit
Znj. Delina Ibrahimaj Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit
Në pritje të përfundimit të kontratës koncesionare me Kompaninë SICPA Security Solutions për prodhimin dhe administrimin e pullave fiskale te akcizës, jemi njohur me Vendimin e Këshillit të Ministrave që ja transferon këto përgjegjësi nga data 01 Janar 2025 e në vijim, Shoqërisë “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a.me aksioner te vetëm Ministrinë e Financës.
Për shkak të marrëdhënieve kontraktuale ka qenë e pamundur të korrigjohej praktika e pa precedentë e detyrimit për t’u pajisur me pullë fiskale edhe produkti birrë.
Në kushtet e reja të krijuara, kërkojmë që të shikohet mundësia e rishikimit të kësaj praktike që përveç përfitimeve për kompaninë koncesionare, ka krijuar kosto të papërballueshme për prodhuesit dhe tregtuesit e produktit birrë (2 lekë për shishe)
Në të gjitha shtetet e botës nuk aplikohet pullë akcize për birrën, sepse krahasuar me produkte të tjera akcize, birra ka një ngarkesë të ulët taksimi të lidhur me përqindjen nën 5% alkool dhe 95% ujë.
Ndërkohë në Shqipëri, prodhimi i birrës bëhët në kushte mbikëqyrje nën regjimin e Magazinave Fiskale të Prodhimit, sistem monitorimi me kamera 24 orë nga Dogana, me garanci financiare për detyrimet vjetore te akcizës dhe deklarime dhe pagesa on line nëpërmjet sistemit doganor të hyrje daljeve të lëndëve të para dhe produkteve për konsum.
Kërkojmë të shqyrtohet mundësia e heqjes së detyrimit të pajisjes me pulle fiskale për birrën.
Për sa më sipër jemi të gatshëm të jemi pjesë e konsultimeve nëse e shihni të arsyeshme.
Sajmir Laçej, Drejtor Ekzekutiv
SHOQATA E MIKROBIRRARIVE
Për: Z. Ervin Mete Ministër i Financave
Znj. Delina Ibrahimaj Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit
- Blendi Gonxhe Ministër i Ekonomisë Kulturës Inovacionit
Në kushtet e reja të krijuara, me përfundimin e kontratës koncesionare të pullave të akcizës kërkojmë që të shikohet mundësia e rishikimit të kësaj praktike që, ka krijuar kosto të mëdha për ne si prodhues të vegjël.
Në vite 90 u hapën 70 Mikrobirrari, në vitin 2012 kemi qenë 40 mikrobirrari nga të cilat 30 falimentuan pas vendosjes se pullës dhe detyrimit për t’u pajisur me autorizim Magazinë Fiskale të Prodhimit, sistem monitorimi me kamera 24 orë nga Dogana, me garanci financiare për detyrimet vjetore të akcizës dhe deklarime dhe pagesa on line nëpërmjet sistemit doganor të hyrje daljeve të lëndëve të para dhe produkteve për konsum.
Këto detyrime ishin të papërballueshme për ta. Vendosja e pullës dhe barrierave të mbikëqyrjes duhet të ketë një logjikë. Nuk mund të paguhet roja në nivele të krahasueshme me atë çfarë ruan.
Se nëse ruani birrën me 95% ujë, po coca cola, fanta, reçel, vaj ulliri, mjaltë, salcë, ujin me gaz etj që kushtojnë më shumë për njësi kush i ruan meqë nuk kanë pullë!
Ne që kemi mbijetuar më shumë për shkak të pasionit pasi morëm edhe goditjen e rritjes me dyfish të akcizës nga 1 Janar 2023 nga 4.5 Lekë në 10 leke për gotë 250 mililitra nuk mbajmë më ngarkesë.
Te gjithë ne 10 mikrobirrari prodhojmë 3000 Hektolitra në vit dhe kur mendon që shumica e vendeve të botës e kanë taksën zero për sasitë deri 1000 Hektolitra në vit, mendoni sa larg keni shkuar duke na kërkuar edhe pulla, autorizime dhe garanci, kamera e akses on line. Kosova nuk i takson fare prodhuesit e vegjël deri në 1000 Hektolitra.
Kërkojmë të shqyrtohet mundësia e heqjes së detyrimit të pajisjes me pullë fiskale për birrën dhe të shikohet mundësia të hiqet akciza për prodhim deri 1000 HL në vit siç aplikohet në BE dhe rajon.
Për sa më sipër ju lutem të na dëgjoni në një takim të dedikuar se turistët kur vijnë në Shqipëri me birrë argëtohen jo me lëngje frutash….prandaj na jepni mundësi të mbijetojmë.
Xhimi Begeja Drejtor Ekzekutiv
/Monitor/