Shqiptarët janë familjarizuar më shumë me teknologjinë në vitin 2023, si në përdorimin e internetit, përdorimin e pajisjeve smart dhe blerjet online.

Bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së informacionit (TIK) gjatë vitit 2023, nga grup-mosha 16 – 74 vjeç, e përdorin internetin 83,1% e popullsisë, nga të cilët 96,2% e përdorin disa herë gjatë ditës.

99,8% e individëve kanë përdorur aparat celularë inteligjent për të hyrë në internet. Ndërkohë 28,2 % e popullsisë e përdorin internetin nëpërmjet laptopit, 27,4% nëpërmjet kompjuter/desktop dhe 19,1% nëpërmjet tabletit.

98,7% kryejnë thirrje / video thirrje (përmes Skype, Viber, WhatsApp) dhe ky tregues ka shënuar rritje prej 0,2 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022.

Rriten blerjet obline

Përdorimi i e-blerje (blerje online) Blerjet “online” i referohen porosive të mallrave ose shërbimeve nëpërmjet internetit, blerjen e tyre nëpërmjet internetit (e-blerje) për qëllime personale nëpërmjet çdo lloji pajisjeje (desktop, i lëvizshëm ose i dorës, përfshirë telefonin celular ose telefon smart).

Blerjet “online” janë kryer nga 38,5% e popullsisë së grup-moshës 16 – 74 vjeç “në 12 muajt e fundit”, nga momenti i kryerjes së intervistës, tregues i cili ka shënuar një rritje prej rreth 3,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Ndër blerjet “online”, produktet / shërbimet që zënë peshën më të madhe janë rroba / këpucë / aksesorë me 88,8% ndjekur nga shërbimet e dërgimit në shtëpi nga restorantet, fast food dhe shërbimet katering me 40,3%.

Përmirësohen aftësitë teknologjike dhe kompjuterike

Në vitin 2023 të gjitha aftësitë teknologjike apo kompjuterike kanë shënuar rritje, ku rritja më e lartë është shënuar për aftësitë lidhur me: “përdorimin e programeve për ndarjen e file-ve” dhe “përdorimin e programit word” përkatësisht me 4,1 dhe rreth 3,3 pikë përqindje.

Përdorimi i TIK sipas grup-moshës

Përdorimi i internetit në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës tek të rinjtë e moshës 16 – 24 vjeç është 99,1%. individët e grup-moshës 65 – 74 vjeç, të cilët kanë deklaruar që nuk e kanë përdorur asnjëherë internetin zënë 32,3%, tregues i cili është zvogëluar 4,6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022.

Përdorimi i internetit “disa herë gjatë ditës” ka regjistruar përqindjet më të larta në grup-moshat 25-34 vjeç ndjekur nga 16-24 vjeç.

Përdorimi i internetit në vitin 2023 si për burrat edhe për gratë shënon vlerat më të larta për kategorinë “gjatë 3 muajve të fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, duke shënuar rritje prej 0,5 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Gjatë vitit 2023, 84,6% e burrave dhe 81,7% e grave të grup-moshës 16-74 vjeç janë përdorues të internetit “gjatë 3 muajve të fundit”.

Shpeshtësia e përdorimit të internetit sipas ndarjes gjinore, tregon se përdorimi i internetit “disa herë gjatë ditës” dominohet nga burrat me 50,3%, ndërsa përdorimi i tij “çdo ditë” dominohet nga gratë me 53,3%.

Sa i përket blerjeve nëpërmjet internetit, sipas gjinisë, gjatë vitit 2023 gratë kanë kryer më shumë blerje për: “produkte për kujdes personal (kozmetikë/bukurie)”, “produkte shtëpiake” si dhe “ilaçe/suplemente/vitamina”. Ndërkohë burrat kanë shfaqur preferenca më shumë në blerjet për: “pajisje elektronike për shtëpi ”dhe “kompjuter/tabletë/celularë, etj.”

Familjet me akses në internet

Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet është 96,7%, krahasuar me 96,5% të një viti më parë. 90,4% ose 660.136 familje kanë akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.), tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 0,1 pikë përqindje. Përqindja e familjeve me akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (3G/4G, tablet,etj.), është 99,3%, krahasuar me 99,2% në vitin 2022.

Përdorimi i TIK nga individët e grup-moshës 16 – 74 vjeç

Individët e moshës 16-74 vjeç që kanë përdorur internetin në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, përfaqësojnë 83,1% të popullsisë në studim. Tregues i cili ka regjistruar një rritje rreth 0,5 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Ndër to, përdoruesit e shpeshtë të internetit përfaqësojnë, 96,2% të individëve (që përdorin internet disa herë gjatë ditës), ndjekur nga ata që e përdorin çdo ditë / pothuajse çdo ditë me 3,6% dhe 0,1% ata që përdorin internetin të paktën një herë në javë. Nga ana tjetër, aktivitetet që kryhen nëpërmjet internetit në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës të cilat kanë regjistruar rritjet më të larta janë: aksesimi i të dhënave shëndetësore online (e-albania seksioni i shëndetit) (18,3 pikë përqindje), internet banking (e-banking) (5,0 pikë përqindje) si dhe për të komunikuar me mesazhe të shkruara (whtasapp etj.) (2,8 pikë përqindje).

Rriten përdorimi i e-qeverisjes

Në vitin 2023 të gjitha kategoritë për kontaktet elektronike nëpërmjet internetit me autoritetet publike dhe disa shërbime publike, si faqet e internetit në lidhje me detyrimet e qytetarëve (p.sh, deklaratën tatimore, njoftimin për zhvendosje), të drejtat (p.sh përfitimet sociale), dokumentet zyrtare (p.sh letërnjoftim, certifikatë të lindjes), shërbimet arsimore publike (p.sh biblioteka publike, informacion mbi regjistrimin në shkollë ose universitet, shërbimet e shëndetit publik) kanë shënuar rritje. Rritja më e lartë është shënuar për kategorinë “shkarkimi apo printimi e formularëve zyrtarë” me 2,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022 ndjekur nga kategoria “marrje informacioni nga faqet ose aplikacionet e internetit” e cila ka shënuar rritje me rreth 1,9 pikë përqindje. /Monitor