Viti 2023 shënoi një bum kërkesash pranë agjencive imobiliare të Durrësit për shitje dhe blerje pasurish të paluajtshme. Zhvillimi i turizmit përgjatë sezonit që lamë pas u shoqërua me kërkesë të shtuar të qytetarëve, për blerje apartamentesh, sidomos në zonat turistike. Durrësi, vitet e fundit, ka shumë pak toka të lira për ndërtim, e kjo ka bërë që çmimet në zonat periferike të kapin majat.
“Në periferi, si zona tek Stadiumi, Fusha e Rërës etj më përpara apartamentet shiteshin me çmime 600 euro m2 apo 700 euro vetëm për ato të mirëarreduara, ose me punime të mira, ndërkohë që një pallat i ndërtuar në vitin 2023 apo që pritet të ndërtohet përgjatë këtij viti shitet me 1100 euro m2. E vetmja zonë që ka një shifër të përballueshme për shtresën e mesme me 750 euro m2 është tek ish-Parku i Autobusave, përpara ish-varrezave të vjetra, ku është një pallat në ndërtim e sipër”,- thotë administratori i agjencisë imobiliare “Mei Smart”, Florian Tahiri.
E ndërsa në kryeqytet çmimi për metër katror ka arritur në nivele të paimagjinueshme më parë, në Durrës rritja është më e moderuar, por nuk mungojnë dhe rastet kur apartamente të caktuara shiten me 3000 euro metri katror.
“Po ju tregoj një rast konkret, tek pallati 27 katësh, më i larti në Durrës. Një apartament me pamje nga deti, me cilësi shumë të lartë ndërtimi dhe punimi brenda ka kapur shifrën 3000 euro m2. Këto janë raste të rralla, që nuk mund të merren shumë në referencë, por shitjet me 1500 – 2000 euro m2 për një apartament me pamje ballore nga deti janë më të shpeshta”,- thotë Tahiri për “DurrësLajm”.
Mungesa e sipërfaqeve për ndërtim në zonat më të preferuara të qytetit si qendra apo ajo që njihet si zona e Vollgës, ka bërë që bumi i ndërtimeve të përqendrohet në Golem e Mali i Robit.
“Për fat të keq, Durrësi ka shumë pak zona, ku mund të ndërtohet, flas këtu për zonën e qendrës apo të Vollgës, që janë zonat me kërkesën më të lartë. Aktualisht ka një bum ndërtimesh në zonën e Golemit dhe Malit të Robit, ku më parë ka pasur troje me kërkesë shumë të vogël”.
Ky vit i ri pritet të shënojë një tjetër rekord përsa i përket sektorit të turizmit. Flukse të reja pushuesish priten gjatë muajve të verës, por aplikimi i taksës 15% mbi fitimin për apartamentet që lëshohen me qira ditore përmes platformave online duket se nuk është mirëpritur deri më tani nga pronarët e banesave.
“Nuk e ka ndihmuar shumë tregun e qirave ditore. Por është për t’u parë, sepse në janar hyri në fuqi kjo taksë. Ne kemi dy raste klientësh që e kanë dhënë më parë me qira ditore apartamentin, por tani, për shkak të taksës, kanë vendosur t’i shesin apartamentet, sepse nuk e shohin fitimprurrës si biznes”,- na tregon Tahiri
Megjithëse jemi në ditët e para të vitit 2024, pritshmëritë e agjencive imobiliare janë për një rritje të mëtejshme të çmimeve për m2 të pasurive të paluajtshme.
“Qyteti i Durrësit do të ketë një rritje 10-15% duke pasur parasysh trendin rritës që Shqipëria ka pasur 3 vitet e fundit”.
Sipas të dhënave të INSTAT në 6 muajt e parë të vitit 2023, në tregun e pasurive të paluajtshme janë realizuar mbi 600 milionë euro shitje, trend ky që pritet të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2024.
M.B.