Porti më i madh detar i Shqipërisë, Porti i Durrësit përpunoi 1.57 milion ton mallra në pesë muajt e parë të 2018, duke u rritur me 5% nga viti i shkuar.

Sipas njoftimit të Autoritetit portual Durrës, 236 anije tregtare kanë lëvizur gjatë 5 mujorit, ndërsa totali i tragetet që vizituan terminalin e trageteve ishin 376. Në këto tragete, përvecc lëvizjes së udhëtarëve, gjithashtu janë përpunuar mallra të transportuara nga kamionë dhe trena.

Sa i përket eksporteve të mallrave, gjatë 5 mujorit u ulën me 2% në vit, përkatësisht në 544 mijë ton në janar-maj. Importi i ngarkesave sakaq u rrit me 9%, duke arritur në 1.02 milion ton.

Numri më i madh i kontejnerëve, 11.768 gjithsej, është përpunuar në muajin mars të këtij viti.

IMPORTET

Materialet e ndërtimit, xhamat, blloqet e mermerit, llamarina dhe melamina zenë një pjesë të madhe të importeve drejt portit të Durrësit në këtë periudhë, e cila përkon edhe më një ‘boom’ ndërtimesh të reja, sidomos në kryeqytet, kryesisht pallate banimi. Po ashtu, sipas shifrave të APD, edhe çimento dhe hekuri për ndërtim me shifra përkatëse nga 6 mijë deri në 40 mijë ton vetëm në 5 muaj. Një pjesë e importeve realizohet me anë të kontejnerëve.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave, bëhet e ditur se në kalatat e portit më të madh të vendit gjatë 5 muajve të parë të vitit janë përpunuar mbi 1 milion ton mallra që kanë mbërritur nga vende të tjerë.

Një rritje të ndjeshme ka pasur përpunimi i qymyrit koks nga importi, që shfrytëzohet nga industria vendase. Volumi 5-mujor i koksit ka arritur në mbi 115 mijë ton, ose 24 mijë ton më shumë se vitin e kaluar. /Monitor