*2.300 kontejnerë TEU më shumë se në periudhën janar-maj 2015
Në periudhën janar-maj të këtij viti, në portin e Durrësit janë përpunuar 1.375.348 tonë mallra të ndryshme. Në katër Terminalet e portit janë përpunuar 216 anije tregtare dhe 409 tragete, ndërsa janë ankoruar gjithashtu edhe 5 kroçera dhe 37 jahte.
Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se importet nga porti i Durrësit janë rritur me 26 për qind, duke arritur shifrën prej 965.618 tonë mallra, ose 202.228 tonë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkaq, eksportet kanë pësuar një rënie prej 28 për qind, ose me 246 mijë ton më pak se sa periudha 5-mujore e vitit 2015.
Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti në portin më të madh të vendit janë përpunuar afro 316 mijë tonë mallra gjithsej, ose 6 për qind më shumë se sa në maj të vitit 2015. Në këto pesë muaj në terminalin e DCT-së janë përpunuar 42.726 kontejnerë TEU, ose 2.298 njësi më shumë se vitin e kaluar.
Në pesë muajt e parë të këtij viti tragetet kanë kryer 409 lundrime, ose 44 më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke transportuar afro 317 mijë tonë mallra gjithsej. Tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona dhe Durrës –Trieste e kthim, kanë transportuar gjithsej 215.869 udhëtarë, ose 32.913 udhëtarë më shumë se në 5-mujorin e parë të vitit të kaluar.





