Eksportet e mallrave nëpërmjet portit të Durrësit, përgjatë muajit maj 2022, kanë arritur në 138,259 tonë ose 41 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave nga Sektori i Statistikave pranë Autoritetit Portual Durrës, ecuria e eksporteve në 5 muajt e parë të vitit ka qenë pozitive, duke pësuar rritje me 135,693 tonë mallra ose 27% më shumë mallra të përpunuara se janar- maj i vitit 2021.
Po të njëjtat burime saktësojnë se kjo rritje kryesisht ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së volumit të mallrave të eksportuara me kontejnerë, rifuxhove të thata dhe mallrave të transportuara me tragete, duke ndikuar në tërësinë e mallrave të eksportuara përgjatë kësaj periudhe.
Ndër mallrat që kanë ndikuar në këtë ecuri pozitive të eksporteve, janë kryesisht: kromi rifuxhio, skrapi, squfuri dhe mallrat e transportuara me kontejnerë, të cilët përgjatë muajit maj 2022 janë rritur me 40,069 tonë më shumë, ndërsa në total gjatë periudhës janar-maj 2022 nëpërmjet Portit të Durrësit janë eksportuar 645,598 tonë mallra.