Çmimet e qirave dhe apartamenteve në Durrës po arrijnë nivele të paregjistruara asnjëherë më parë.
Sezoni veror dhe kërkesa e lartë e turistëve për ambiente me qira për të kaluar pushimet ka rritur ndjeshëm mesataren e çmimeve për qiratë ditore apo javore, sidomos në zonën e bregdetit. Agjensitë imobiliare flasin për një rritje me rreth 15-20% më shumë sesa viti i kaluar, ndërsa për qiratë vjetore rritja është pak më e ulët.
Sipas administratorit të agjencisë imobiliare “Mei Smart”, Florian Tahiri, trendi rritës vijon edhe për shitblerjen e apartamenteve në zonat bregdetare, tek ish-Vollga, në plazh, apo Shkëmbin e Kavajës e Golem.
“Çmimet për metër katrorë për apartamentet nga pamje nga deti kanë arritur 1200-1300 euro”,- bën të ditur Tahiri.
Rritja e konsiderueshme e çmimeve të shiblerjes së pasurive të paluajshme shkaktohet nga disa faktorë, si psh rritja e çmimit të materialeve të ndërtimit, kërkesa e lartë e turistëve të huaj për të blerë apartamente në bregdet, por edhe për shkak të investimeve qeveritare në zonën e Durrësit. Duket se trendi rritës nuk do të bjerë edhe pas përfundimit të sezonit turistik.

Por a i bën kjo këto zona të “paprekshme” për familjet me të ardhura mesatare?
“Automatikisht personat që nuk kanë fuqi blerëse për të blerë një apartament në këto zona do të spostohen në zona të tjera të qytetit, ku çmimet janë më të lira. Flasim këtu për zonën e stadiumit, zonën e ish-Kënetës, zonën e Shkozetit, Spitallës etj. Janë zona që kanë çmime shumë herë më të lira”,- thotë Tahiri.
Pas një bllokimi total disa mujor për shkak të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë në 2020, tregu imobiliar po shënon një zhvillim të konsiderueshëm, me çmimet e pasurive të paluajtshme që kanë regjistruar rekord në qytetet kryesore të vendit.
M.B.





