Megjithëse në dukje qytet i qetë, Durrësi nuk është aspak i tillë përsa i përket rasteve të dhunës në familje.
Statistikat policore dëshmojnë një rritje eksponenciale të rasteve të dhunës në periudhën janar-shtator 2022, krahasuar me 9 mujorin e një viti më parë.
Tabela e mëposhtme, me shifrat zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, e siguruar nga “DurrësLajm”, dëshmon se dhuna në familje është një fenomen, që po merr përmasa të frikshme.

Nëse një vit më parë, në 9 muaj regjistroheshin 181 raste dhune me 204 autorë, për të njëjtën periudhë të vitit 2022 regjistrohen 256 raste, me 272 autorë.
Evidencat në rritje të rasteve të dhunës, i konfirmon edhe avokatja Liljana Tanko, që prej vitesh ndjek nga afër proceset gjyqësore.
“Minimalisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës zhvillohen 5 proçese familjare në ditë me objekt “Lëshim urdhër i menjëhershëm mbrojtje” apo proçese penale “Dhunë në familje”,- thotë ajo për “DurrësLajm”.
Duket se periudha post pandemi i ka përkeqësuar edhe më shumë marrëdhëniet familjare, duke nxitur episode të shumta dhune brenda 4 mureve të shtëpisë.
Më 7 nëntor, në komunikatën e përditshme të policisë së qarkut Durrës raportoheshin brenda 24 orëve 4 arrestime të burrave dhunues, që kishin ngritur dorë mbi bashkëshortet dhe nënat e tyre. ndërsa në 9 muaj janë arrestuar 93 persona të akuzuar për veprën penale “Dhunë në familje”, kundrejt 65 të arrestuar në janar-shtator 2021.
“Grupmoshat që janë më tepër të prirur të shfaqin sjellje dhune në familje janë 25-55 vjeç, ndërsa në anën tjetër viktimat e dhunës janë të grupmoshave të ndryshme që nga fëmijët e deri tek nënat 80-vjeçare”,– thotë avokatja Tanko. Sipas saj, viktima të dhunës janë edhe meshkujt, por në pjesën më të madhe të rasteve rezulton se ata i nënshtrohen dhunës psikologjike verbale dhe vetëm në raste sporadike dhunës fizike.
Policia e Durrësit pranon se referuar statistikave “personat më të prekur nga dhuna në familje janë femrat/bashkëshortet”.
Por cilat janë shkaqet që çojnë në ushtrimin e dhunës në familje?
Ato janë të larmishme, nga konsumimi i lëndëve alkoolike apo narkotike, tek xhelozia, papunësia dhe problemet ekonomike.
Ndërgjegjësimi i viktimave për të denoncuar rastet e dhunës në polici ka ardhur duke u rritur vit pas viti, por ajo që bie në sy në shifrat zyrtare është numri i lëshimit të urdhrit të mbrojtjes. Nëse numrat e rasteve të dhunës janë rritur, krejt e kundërta ka ndodhur me shifrat e urdhrave të mbrojtjes.
“Gjatë periudhës analizuese janë 342 (treqind e katërdhjetë e dy) urdhëra me masa paraprake të mbrojtjes, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2021 janë 566 (pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë)”,- bën të ditur policia në përgjigjen zyrtare të saj.
Për avokaten Tanko, shumë viktima të dhunës në familje tërhiqen nga proceset gjyqësore.
“Ndër shkaqet kryesore që viktimat e dhunës “pendohen” janë mentaliteti, frika nga sjellja agresive e dhunuesit në të ardhmen, pasiguria tek autoritetet, por edhe gjendja ekonomike, pasi nuk munden të vetme të përballojnë detyrimet familjare”,- thotë avokatja Tanko.
Megjithëse ndaj tyre ushtrohet në mënyrë sistematike dhunë fizike apo psikologjike, të dhunuarat/it vazhdojnë qëndrojnë në të njëjtën banesë me partnerin/en dhunues duke rrezikuar kështu që në të ardhmen të shndërrohen në personazhe të kronikës së zezë.
M.B.





