Efektivët e Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes e Informacionit (ASNI), Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike (NJUSK) dhe ata të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) do të përfitojnë rritje të pagesës për kushte të veçanta pune e shërbimi.
Sipas vendimit të qeverisë, miratuar në mbledhjen e fundit, përfshihen edhe këto kategori, pjesë e Forcave të Armatosura, që do të përfitojnë trajtim më të mirë financiar, duke e bërë këtë sektor tërheqës për profesionistët e fushës. Në rishikimin e masës së shtesës që i është bërë këtyre pozicioneve, përcaktohet që ajo të variojë:
– nga 13.000 lekë në muaj deri në 20.000 lekë në muaj për punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
– punonjësit e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike do të përfitojnë një trajtim nga nga 50.000 deri në 70.000 lekë në muaj,
– ndërsa efektivët e Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes së Informacionit do të kenë një trajtim financiar nga 35000 lekë deri në 40000 lekë në muaj.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot se Forcat e Armatosura po vlerësojnë më shumë se kurrë profesionistët në uniformë, duke sjellë në vëmendje rritjen e pagave për Forcat e Armatosura. Vengu tha se ushtarakë të mirëpaguar, mirëstërvitur e mirëpajisur është kryeprioritet i punës së përditshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.
“Efektivët e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes e Informacionit dhe ata të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes përfitojnë rritje të konsiderueshme në pagesën shtesë për kushte të veçanta pune e shërbimi”, theksoi ministri.