Hyn në fuqi sistemi i ri i pagave hyn në OSHEE. Nga sot të gjithë punonjësit e OSHEE-së do të përfitojnë rritje page deri në 30%, ndërsa për herë të parë do të aplikohet dhe vjetërsia në punë.
Në fjalën e saj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku theksoi se vëmendja kryesore ka qenë shpërblimi i merituar i punonjësve të terrenit.
“Me të vërtetë sot është një ditë për t’u shënuar për sektorin energjetik, pasi askush nuk e mohon faktin që OSHEE-ja është ndërmarrja më e rëndësishme, ajo që ka kontaktin direkt me abonentin, me qytetarin, pa mohuar këtu të gjithë kontributin që jep KESH-i në prodhimin energjetik apo OST-ja në transmetimin e saj.
Të gjitha pagat e OSHEE Grup do të afektohen nga një rritje e cila varion sipas sektorëve, pasi vëmendja jonë kryesore dhe e gjithë puna që kemi bërë me administratorin brenda Ministrisë ka qenë për ti dhënë një shpërblim të merituar punonjësve të terrenit. Atyre që mbajnë peshën kryesore të rrjetit duke filluar nga elektriçistët, teknikët, inxhinierët dhe pse jo faturistët, të cilët janë zanafilla e mbledhjes së atyre të ardhurave që administratori juaj i deklaroi me krenari, dhe është për t’u krenuar, pasi muaji tetor është mbyllur me një shifër rekord, me 113% të mbledhjes së të ardhurave.
Të gjithë punonjësit e OSHEE do afektohen nga kjo rritje page, në kuadër të një politike të gjerë që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë, në kuadër të rritjes së pagave që kanë nisur tashmë në sektorin e qeverisjes qendrore dhe që padyshim do të kulmojë në muajin prill, për të gjithë ata që janë informuar apo që do të informohen edhe në dizenjimin e buxhetit këtë vit ne i kemi dhënë peshën kryesore kompensimit financiar të punonjësve të administratës publike në nivele të ndryshme, duke përdorur si instrument meritokracinë. E njëjta gjë ndodh edhe në ndërmarrjen tuaj”- tha Balluku.
Më tej, ministrja u ndal konkretisht te paga e elektricistëve duke thënë se paga e tyre tashmë do të shkojë në 70 mijë lekë. Ndërkohë, OSHEE ka hapur thirrjen për 300 elektriçistë të rinj.
“Unë do ti referohem vetëm pagës së elektricistit, pasi ai ka qenë meraku im kryesor dhe me Enean kemi punuar pikërisht, duke u nisur nga baza dhe duke shkuar lart. Paga e elektricistit që deri më sot ka qenë rreth 50 mijë lekë, shkon në 70 mijë lekë, ashtu siç administratori tha kini parasysh që do të aplikohet për herë të parë edhe vjetërsia në punë, duke u bazuar mbi atë skemë që tashmë është aplikuar edhe në administratën publike. 0.6% është llogaritja e vjetërsisë së punës për 10 vitet e para, 0.8% nga viti 10 deri në vitin e 20 dhe 1% për 10 vitet e treta në punë. Nga çfarë di unë në këtë ndërmarrje ka plot njerëz me vështirësi, shumë të gjatë në punë mbi 20 vjet, rreth 30 vjet dhe për këtë arsye ne kemi nisur edhe një iniciativë të re të cilën unë do ta përsëris edhe njëherë sot, pavarësisht se numri i aplikimeve është mbi 270 për 309 pozicione pune.
Ne kemi lançuar në fillim një paketë e cila kërkon që ju si ndërmarrje të rekrutoni rreth 309 elektricistë të rinj, por që kemi vënë një kriter që ndoshta ishte pak i pakuptueshëm në fillim kur ne e lançuam, jo më shumë se 25 vjeç në moshë, djem dhe vajza. E kemi vënë këtë kriter pasi kjo ndërmarrje, që ka rreth 7 mijë punonjës, sigurisht ka burra dhe gra që punojnë prej vitesh, të cilët diku duhet ta lënë stafetën dhe ka ardhur koha që radhët tuaj të kenë gjak të ri, djem dhe vajza të reja, që do të kenë dëshirë t’ju bashkohen dhe do të kenë dëshirë të marrin dhe profesionin tuaj, atë që ju zhvilloni me shumë mjeshtëri.
Ne sot kemi 270 aplikime, kemi edhe disa ditë nga mbyllja e garës, kështu që unë shpresoj që të kemi aplikime aq sa kemi edhe vende pune, por madje të kemi dhe më shumë që të keni mundësi që të përzgjidhni më të mirët dhe është e rëndësishme që këtyre djemve dhe vajzave ti jepet suporti maksimal dhe mos ti vështirësohet jeta”- u shpreh ndër të tjera Balluku.