Mjekët dhe studiuesit paralajmërojnë se sëmundja e mëlçisë së dhjamosur jo alkoolike (NAFLD), një gjendje deri vonë e lidhur kryesisht me të rriturit, po bëhet gjithnjë e më e zakonshme edhe te fëmijët dhe adoleshentët, si pasojë e zakoneve të pashëndetshme ditore, sipas “ScienceDirect”.

Kjo gjendje ndodh kur yndyra grumbullohet në qelizat e mëlçisë pa shkaktuar dëmtime nga alkooli, dhe mund të zhvillohet në inflamacion, fibrozë madje edhe në dëmtime serioze të mëlçisë nëse nuk trajtohet.

Studiuesit e Spitalit Universitar të Fëmijëve, në Ljubljana, Slloveni treguan se përhapja e NAFLD-së te fëmijët është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, duke reflektuar përqindje në rritje të mbipeshës dhe obezitetit te të rinjtë si faktorë kryesorë të rrezikut.

Studimet dhe ekspertët i lidhin këta faktorë me disa rreziqe:

Ushqimi i pashëndetshëm: Konsumi i tepërt i ushqimeve të përpunuara me yndyra, sheqerna dhe pije të gazuara ndihmon në grumbullimin e yndyrnave në mëlçi dhe shoqërohet me një rrezik më të lartë të NAFLD-së – edhe te fëmijët që nuk janë të pashëndetshëm ose obezë.

Pesha dhe yndyra trupore: Studimet klinike në SHBA treguan se fëmijët me nivele më të larta të yndyrës viscerale (yndyra në zonën e barkut) kanë më shumë yndyrë të grumbulluar në mëlçi, pavarësisht peshës së përgjithshme, duke sugjeruar se shpërndarja e yndyrës në trup është një faktor i rëndësishëm.

Stili i jetës sedentare: Ekspertët paralajmërojnë se ulja drastike e aktivitetit fizik dhe rritja e orëve të kaluara ulur – shpesh duke përdorur telefona celularë ose ekrane – është e lidhur me rrezikun e sëmundjeve metabolike që përfshijnë edhe NAFLD-në.

Studime mbi sjelljet sedentere tregojnë se koha e zgjatur në qetësi rrit rrezikun e sëmundjes së mëlçisë tek të rinjtë në moshë të rritur.

Pse është shqetësuese kjo gjendje?

Sëmundja shpesh nuk jep shenja të hershme, gjë që e bën atë të vështirë për t’u zbuluar pa kontrolle mjekësore të rregullta.

Megjithatë, nëse nuk trajtohet, NAFLD-ja mund të çojë në komplikacione serioze metabolike si diabeti i tipit 2, hipertensioni dhe dëmtimet kronike të mëlçisë.

Studiuesit theksojnë se kjo gjendje është pjesë e një sindromi metabolik më të gjerë, ku obeziteti dhe zakonet e jetesës janë faktorë kryesorë.

Cilat këshilla japin mjekët?

Mjekët rekomandojnë:

•       Uljen e konsumit të ushqimeve të përpunuara dhe pijeve të sheqerosura.

•       Krijimin e zakoneve të shëndetshme ushqimore që përfshijnë fruta, perime dhe proteina të pastra.

•       Reduktimin e kohës së kaluar para ekranit dhe nxitjen e aktivitetit fizik çdo ditë.

•       Kontrolle të rregullta mjekësore, veçanërisht për fëmijët me peshë të tepërt ose predispozita familjare për diabet/metabolizëm.

Ekspertët theksojnë se sjelljet e jetesës – jo vetëm ushqimi – luajnë një rol kyç në parandalimin e sëmundjeve metabolike që përfshijnë mëlçinë dhe sistemin kardiovaskular.