Pekini ka thënë se do të dërgojë një kontigjent të trupave ushtarake në Rusi për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta, në të cilat do të përfshihen edhe shtete tjera, përfshirë Indinë, Bjellorusinë, Mongolinë dhe Taxhikistanin.
Ministria e Mbrojtjes në Kinë ka thënë më 17 gusht se pjesëmarrja në stërvitje të përbashkëta “nuk lidhet me situatën aktuale në rajon dhe botë”.Ky qëndrim është parë si referencë për luftën e Rusisë në Ukrainë. Stërvitjet janë pjesë e “marrëveshjes për bashkëpunim vjetor”, është thënë në deklaratë.
Stërvitje të ngjashme ushtarake mes dy vendeve – të cilat udhëhiqen nga Rusia – janë mbajtur edhe në të kaluarën.
“Synimi është që të thellohet bashkëpunimi pragmatik mes ushtrive të vendeve pjesëmarrëse, të rritet niveli i bashkëpunimit strategjik në mesin e palëve pjesëmarrëse, dhe të thellohet aftësia për t’u përgjigjur ndaj kërcënimeve të ndryshme ndaj sigurisë”, është thënë me tjerash në deklaratë.
Kina është në mesin e shteteve që nuk i kanë vënë sanksione Rusisë për sulmin e paprovokuar të Moskës në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka thënë homologut të tij kinez muajin e kaluar se nuk pranon pretendimet e Kinës se është neutrale në konfliktin në Ukrainë.
Ai ka thënë po ashtu se Uashingtoni “është i shqetësuar për përafrimin e Kinës me Rusinë”.Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.





