Britania e Madhe ka dëbuar një diplomat rus, në një veprim reciprok pas dëbimit muajin e kaluar nga Moska të një diplomati britanik, i cili u akuzua nga autoritetet ruse për spiunazh.
Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, akuzat e Rusisë janë “të pabaza”, ndërsa dëbimi i diplomatit britanik u cilësua si “i paprovokuar dhe i pajustifikuar”. Një zëdhënës i Foreign Office deklaroi se diplomati britanik u akuzua padrejtësisht si anëtar i shërbimeve të fshehta, pa qenë e deklaruar një gjë e tillë.
“Duke thirrur ambasadorin rus, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme e bëri të qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tolerojë frikësimin e stafit të ambasadës britanike. Për këtë arsye, sot po ndërmarrim veprime përkatëse, duke hequr akreditimin e një diplomati rus”, tha zëdhënësi.
Në sfondin e luftës në Ukrainë, Rusia dhe vendet perëndimore kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për fushata spiunazhi, me një intensitet që, sipas diplomatëve, nuk është parë që nga periudha e Luftës së Ftohtë. Diplomatë perëndimorë në Moskë kanë deklaruar se janë subjekt i mbikëqyrjes ndërhyrëse dhe ngacmimeve të vazhdueshme.
Britania paralajmëroi Rusinë që të mos vazhdojë këtë qasje ndaj diplomatëve të saj.
“Çdo veprim i mëtejshëm nga ana e Rusisë do të konsiderohet si përshkallëzim dhe do të marrë përgjigjen e duhur”, shtoi zëdhënësi.
Ambasada ruse në Londër nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë Reuters për koment lidhur me këtë çështje.





