Gjatë natës, Izraeli nisi një sulm në shkallë të gjerë në Rripin e Gazës.

Sipas mediave palestineze pati “viktima të shumta”, me bregun “në shënjestër të zjarrit të anijeve”. Që nga fillimi i konfliktit, 1900 vetë kanë gjetur vdekjen në Gaza.

Shifra bëhet e ditur nga burime të Ministrisë së Shëndetësisë të afërta me Hamasin. Sot u mbush një javë nga fillimi i sulmeve të grupit militant palestinez kundër jugut e qendrës së Izraelit.

Ndërkohë, nuk ndalen thirrjet për të anuluar urdhrin e evakuimit të mbi një milion njerëzve nga qyteti i Gazës në drejtim të jugut.

Këto thirrje u bënë një ditë më parë nga Izraeli, por nuk janë marrë parasysh deri më tani.

Kryeministri izraelit Benjanim Netanyahu paralajmëron:

Ky është vetëm fillimi, ne do ta shkatërrojmë Hamasin!

Ka edhe një apel të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të shmangur një katastrofë humanitare.

Sipas OKB-së janë 423 mijë palestinezë që kanë lënë shtëpitë e tyre në Gaza edhe para kërkesës së Izraelit për largimin nga pjesa veriore e Rripit të Gazës.

Orët e fundit, ushtria izraelite ka ndërmarrë disa operacione me qëllim lirimin e 120 pengjeve që mbahen nga anëtarë të Hamasit.

Për kryediplomatin europian, Josep Borrell është absolutisht “i pamundur” plani izraelit për evakuimin në një ditë të mbi 1 milion vetëve nga veriu i Gazës.

Duke folur në përfundim të një vizite në Kinë, Borrell tha se përfaqëson qëndrimin zyrtar të Bashkimit Europian kur thotë se zbatimi i planit nuk është i mundur në 24 orë teksa shtoi se “në një situatë si ajo në Gaza, kjo çon në krijimin e një krize humanitare”.

Është skenar që duhet shmangur!

Po ashtu janë bombarduar pozicionet e Hezbollahut në Liban ku një gazetar i agjencisë Reuters mbeti i vrarë. Ndërkaq, organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International denoncon:

Forcat izraelite të pajisura me fosfor të bardhë.