Tetë persona mbetën të plagosur si pasojë e sulmeve ajrore ruse në qendër Kharkivit të shtunën, të cilat goditën një qendër mjekësore, blloqe banimi dhe ndërtesa të tjera civile, njoftoi guvernatori i këtij rajoni.
Numri i personave që humbën jetën si pasojë e sulmit më të madh ajror të Rusisë ndaj Ukrainës shkoi në 39 të shtunën, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të pastrojnë rrënojat që lanë pas goditjet, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy.
Rusia goditi me 158 raketa dhe dronë disa qytete dhe fshatrea anembanë Ukrainës të premten, në atë që zyrtarët ukrainas e cilësuan si sulmin më të rëndë ajror që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.
“Pothuajse 120 qytete dhe fshatra, qindra objekte civile kanë pësuar dëme”, tha zoti Zelenskiy në aplikacionin Telegram.Presidenti ukrainas tha se 39 persona u vranë dhe 159 të tjerë u plagosën në sulmet që përfshinin lloje të ndryshme të raketave balistike dhe dronë të prodhuar nga Irani. Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se arriti të rrëzonte 87 raketa ruse dhe mbi 30 dronë.
Në kryeqytetin Kiev u vranë të paktën 16 njerëz, numri më i madh i të vdekurve civilë në qytet gjatë gati 22 muajve luftimesh, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko. Qyteti shpalli 1 janarin ditë zie për të nderuar viktimat.
Kryebashkiaku Klitschko tha se ekipet e shpëtimit po vazhdonin kërkimet në rrënojat në Kiev, ku u goditën një magazinë dhe disa ndërtesa banimi dhe tregtare.
Operacionet e ekipeve të shpëtimit vazhduan në qytete dhe fshatra të tjera në qendër, jug dhe perëndim të vendit, thanë zyrtarët lokalë.
Autoritetet lokale nxituan të bëjnë të mundur riparimin e mijëra xhamave të thyer në ndërtesat e banimit dhe rivendosjen e ngrohjes.
Moti është i ngrohtë në pjesën më të madhe të Ukrainës me temperatura që lëvizin rreth 4 Celsius, diçka jo e zakontë në këtë stinë për Ukrainën.
Megjithatë, sinoptikanët presin një ulje të temperaturave në zero gjatë javës së ardhshme. /VOA