Më shumë se 31 persona janë vrarë të dielën nga një sulm rus me raketa në qytetin Sumi të Ukrainës, njoftuan zyrtarët.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës tha se numri i viktimave është rritur, pasi autoritetet lokale kishin raportuar fillimisht për 21 të vdekur.
Në mesin e të vrarëve janë dy fëmijë. Të paktën 84 njerëz të tjerë janë plagosur, përfshirë 10 fëmijë.
Sulmi ndodhi më pak se një ditë pasi diplomatët e lartë të Rusisë dhe Ukrainës akuzuan njëri-tjetrin për shkeljen e një marrëveshjeje të përkohshme të ndërmjetësuar nga SHBA për ndaljen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, duke theksuar vështirësitë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës trivjeçare.
Ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve folën në ngjarje të ndara gjatë Forumit Diplomatik vjetor në Antalia, një ditë pasi i dërguari amerikan, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi mundësitë për paqe.
“Ukrainasit na kanë sulmuar që nga fillimi, çdo ditë që kalon, me ndoshta dy ose tri përjashtime”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, duke shtuar se Moska do t’i paraqesë SHBA-së, Turqisë dhe organizatave ndërkombëtare një listë të sulmeve të Kievit gjatë tri javëve të fundit.
Homologu i tij ukrainas, Andrii Sybiha, e kundërshtoi ashpër atë pretendim, duke thënë të shtunën se Rusia shkrepi “gati 70 raketa, mbi 2.200 dronë dhe mbi 6.000 bomba ajrore në Ukrainë, kryesisht ndaj civilëve”, që nga marrëveshja për ndaljen e sulmeve./REL/