Ministri i Shëndetësisë i Uellsit të Ri Jugor, Ryan Park, bëri të ditur se ka shkuar në 16 numri i personave që kanë humbur jetën nga të shtënat me armë në plazhin Bondi, në Sidney, mes të cilëve edhe një fëmijë.

Sulmi ndodhi në kohën kur në zonë po zhvillohej një aktivitet për fillimin e festës hebraike Hanuka, ndërsa policia konfirmon se ngjarja po trajtohet si një akt terrorist.

Sipas Ryan Park, i cili foli për televizionin publik ABC, numri i viktimave është rritur në 16, megjithatë ende nuk është e qartë nëse ky bilanc përfshin ndonjërin nga autorët e dyshuar.

Policia kishte deklaruar më herët se një nga sulmuesit u vra, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike.

Ministri i Shëndetësisë shtoi gjithashtu se katër fëmijë u dërguan në spital pas sulmit në Bondi Beach, disa prej të cilëve janë në gjendje “shumë serioze”.

“Shpresojmë dhe lutemi që këta njerëz t’ia dalin në orët në vijim”, deklaroi Ryan Park për ABC News.