Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi qytetin e shenjtë të Tibetit në Kinë. BBC raporton se numri i viktimave ka shkuar në 126 si pasojë e tërmetit shkatërrimtar me magnitudë 7.1 ballë, që goditi Tibetin.
Gjithashtu 188 persona kanë mbetur të plagosur, ndërkohë punonjësit e shpëtimit po kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave.
Tërmeti me një thellësi prej 10 kilometrash, sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së, u ndje edhe në Nepal dhe pjesë të Indisë, e cila është fqinje me Tibetin.
Tërmetet janë të zakonshëm në rajon, i cili shtrihet në një vijë të thyer gjeologjike, por ai i së martës ishte një nga më vdekjeprurësit në vitet e fundit. Videot e publikuara nga transmetuesi shtetëror i Kinës CCTV treguan shtëpi të shkatërruara dhe ndërtesa të shembura në qytetin e shenjtë Shigatse të Tibetit, me punëtorët e shpëtimit që kalonin nëpër mbeturina dhe u shpërndanin vendasve batanije të trasha.