Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi qytetin e shenjtë të Tibetit në Kinë.

Screenshot_7

BBC raporton se numri i viktimave ka shkuar në të paktën 93, ndërsa 130 persona rezultojnë të lënduar.

Ndërkohë që shumë banorë të tjerë janë bllokuar  nën rrënoja të banesave dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës.

Mediat shtetërore raportuan se 1.000 shtëpi janë dëmtuar në Tibet. Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj si edhe në pjesë të Indisë.

kina termet

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 7.1 Rihtet dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 Rihter.

Epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili ndodhet  në kufirin mes Kinës dhe Nepalit.

Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen mes vete pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.

Rreth 50 lëkundje u raportuan në tri orët pas tërmetit, dhe zona turistike e Malit Everest në anën kineze u mbyll si pasojë.

Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën bjeshkore në afërsi të epiqendrës të shikojnë nëse ka viktima apo dëme.