Skena lufte janë parë në Kabul teksa dy shpërthime të njëpasnjëshme goditën turmën jashtë aeroportit. Zyrtarisht janë 60 viktima, mes të cilëve 10 ushtarë amerikanë dhe burra, gra e fëmijë afganë që prisnin të largoheshin nga vendi i tyre.
Një re tymi u ngrit mbi qiell pas shpërthimeve teksa paniku përfshiu turmën jashtë aeroportit, me të plagosurit e gjakosur transportoheshin në spital me mjete rrethanore.
Shpërthimet ndodhën afër portës Abbey, ku ishin stacionuar trupa britanike dhe afër hotelit Baron po ashtu vendqëndrim i britanikëve.
Sipas zyrtarëve amerikanë, bëhet fjalë për sulme kamikaze të organizuara të disa personave që më pas nisën të qëllonin me armë. SHBA nëpërmjet ambasadës në Kabul ka bërë thirrje që të qëndrohet larg portave hyrëse dhe të mos udhëtohet drejt aeroportit.
Sot ishte paralajmëruar një sulm terrorist nga ISIS sipas agjencive të inteligjencës së disa vendeve perëndimore..





