Brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara janë nën darën e stuhisë së borës  “Jonas” që ka goditur 20 shtete dhe rreth 85 milionë banorë. Mbi 200 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e saj.

Të paktën 19 persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve ekstreme të motit, duke pastruar dëborën apo në aksidente rrugore. Mes viktimave është edhe një fëmijë 4 -vjeçar, që humbi jetën, pasi makina e familjes kishte mbetur e bllokuar në dëborë, në një rrugë të Karolinës së Veriut.

Stuhia e pagëzuar “Snowmagedon apo Snowzilla” në rrjetet sociale po dobësohet dhe i është drejtuar Oqeanit Atlantik.

Në 11 shtete është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, mes të cilëve Nju Jorku dhe Uashington Di-si, ku trafiku është thuajse i bllokuar. Pentagoni ka dërguar 2300 ushtarë të Gardës Kombëtare në shtetet e goditur.

Reshjet më të denduara të borës u rregjistruan në Virxhian Perendimore, me 101.6 cm dëborë.

Në shkallë vendi u anulluan të paktën 10 mijë fluturime dhe mijëra të tjerë patën vonesa.