Me detin, historinë e pasur dhe vendndodhjen strategjike, Durrësi është kthyer vitet e fundit në një “magnet”, për ata që kërkojnë, jo vetëm një destinacion pushimi, por edhe një mundësi fitimprurëse investimi.

Erjando Zoto, një konsulent në fushën e pasurive të paluajtshme, që prej vitesh interesohet për blerje apartamentesh për llogari të klientëve çekë e polakë, thotë se trendi tashmë ka ndryshuar.

“Ajo që ka ndryshuar, të paktën vitet e fundit, është që persona të huaj i blejnë apartamentet për pushimet e tyre verore, por që më pas jua lënë agjensive të ndryshme për ta përdorur e për të marrë të ardhura”, shpjegon për “DurrësLajm” ai, ndërsa shton se “ka pasur një ndryshim rrënjësor, që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, prej së cilës shumë shtetas ukrainas filluan të bëjnë investime në Ballkan.”

Përkundrejt investitorëve “tradicionalë”, Zoto nga “Synergy Real Estate” na tregon se “kemi shtete të reja, që po vijnë të blejnë në Shqipëri, siç janë Kazakistani, Armenia, Bjellorusia, por edhe vendet balltike, siç janë Letoni e Lituani.

Rritja e kërkesës ka sjellë si rezultat edhe rritjen e çmimeve.

“Nëse flasim para 2 vitesh, çmimet në zonën e plazhit dhe në Durrës ishin rreth 40-50% më lirë se ato që janë sot, por kemi pasur një rritje në mënyrë drastike”, thotë agjenti Erjando.

“Në fakt qendra ka një çmim të lartë, por që është real, sepse qendra ka një problematikë, që nuk ka ndërtime të reja, sepse nuk ka zona të lira ku mund të ndërtohen.

Prandaj ka një rritje reale dhe shkon 1300-1500 euro metri katror, varet nga cilësia dhe zona. Rritje ka pasur plazhi, ku sot apartamentet në vijë të dytë janë rreth 1000 euro metri katror.”

Por përse ky “boom” interesi për qytetin bregdetar?

“Një nga arsyet ishte çmimi i lirë, që Shqipëria ofronte deri në atë kohë, por edhe disa karakteristika të tjera, siç është klima shumë e mirë, ushqimi, por edhe mikpritja shqiptare”, analizon agjenti imobiliar.

Këto i pohojnë më mirë edhe vetë të huajt.

Jam përpjekur të gjej një vend të qetë, ku ka njerëz dhe kohë të mirë, por mbi të gjitha ku ka ushqime të shëndetshme. Dhe këtu ushqimi, ashtu siç edhe e lexova në internet, është i gjithi natyral, ju nuk përdorni kimikate. Edhe çmimet e pronave ishin të leverdishme për mua. Mbi të gjitha, këtu edhe sikur të rrish kot, ke shumë për të marrë, keni det, diell e kohë të mirë”, thotë ndër të tjera një ukrainase, që sapo ka blerë një shtëpi në Durrës.

Sipas agjentit Zoto, më të kërkuarat janë apartamentet që kanë një sipërfaqe prej rreth 50-65 metrash katror, kjo pasi vizitorët e huaj janë kryesisht familje të vogla.

K.Gj.