*14 mijë vizitorë në muze gjatë kësaj 8-mujorit 2017!
Në muzeun arkeologjik të Durrësit numri i vizitorëve është shtuar ndjeshëm këtë vit. Ky numër sipas Bledar Bicës, ka shkuar në rreth 14.000. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vërehet se ka pasur një trend rritjeje, sipas shifrave paraprake të 8-mujorit, afërsisht me 10 – 20 % më shumë. Kjo është reflektuar edhe në të ardhurat monetare të muzeut.
Bica bën me dije se ky numër vizitorësh është duke u rritur nga dita në ditë. Me turistë tashme përveç vendeve tradicionale, edhe nga Polonia dhe vende të shumta perëndimore si SHBA, Angli, Francë.
Të huajt vizitorë largohen me përshtypje mjaft të mira nga ky muze pasi në të ndodhen rreth 3200 objekte unikale muzeale që u përkasin disa qytetërimeve historike.
Numri i vizitorëve pritet që të jetë në rritje edhe në vijim. Kjo dhe për faktin që Amfiteatri i Durrësit është një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës në vend, i vlerësuar dhe nga studimet e huaja për vlerat e tij historike. Vizitat në të përfshihen në të njëjtën paketë turistike me muzeun arkeologjik të Durrësit.