Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se ka rritur mbështetjen financiare për personat para dhe tetraplegjikë. Ministrja Albana Koçiu bëri të ditur sot vendimin e marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave sa i përket target grupit të personave në fjalë duke rritur mbështetjen financiare për rreth 5 600 persona.
Në deklaratën për mediat, ministrja Koçiu sqaroi se për këtë target grup u vendos që të rishikohet masa e ndihmës së ofruar për mbulimin e shpenzimeve për përballimin e paketës së domosdoshme me materiale të veçanta higjieno-sanitare.
“Qeveria ka vendosur sot që të rrisë masën e mbulimit për paketën higjieno-sanitare për personat para dhe tetraplegjikë. Një vendim i rëndësishëm nëse konsiderojmë që ky target grup është gjithashtu pjesë e këshillit kombëtar të personave me aftësi të kufizuar me të cilët patëm sot një d iskutim shumë të për të diskutuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të domosdoshme të kësaj kategorie”, -u shpreh Koçiu.
“Janë plot 18 mijë kujdestarë personal për të cilët MSHMS është duke punuar për të lancuar figurat e reja profesionale. Figura e ndihmësit personal apo e kujdestarit personal është një figurë të cilën së bashku me asistencën dhe projektet e BE jemi duke punuar për ta lancuar si një figurë profesionale e cila përveç aftësimit, trajtimit, do duhet të mbështeten financiarisht për pagën dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”.
Sipas këtij vendimi, mbështetja për paketën higjieno-sanitare rritet në 20.000 lekë në muaj. Gjithashtu, vendimi i marrë sot përmban për herë të parë një klauzolë, që sjell rritjen automatike të mbështetjes çdo vit, bazuar në indeksimin e çmimeve të konsumit të shpallur nga INSTAT.