Numri i turistëve të huaj që kanë ardhur këtë vit nga porti i Durrësit është rritur me 34 për qind më shumë, referuar të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kështu ka deklaruar ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi nga porti i Durrësit, e cila tha se për periudhën qershor-korrik-gusht të këtij viti, është rritur ndjeshëm hyrja e shtetasve të huaj dhe atyre shqiptarë.

Drejtori i autoritetit portual Gazmend Shalsi, ka bërë të ditur se gjatë periudhës që përkon me sezonin turistik është rritur edhe ardhja e jahteve turistike dhe kroçerave të huaja.

Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi, ka deklaruar se industria e turizmit si shtyllë kryesore e ekonomisë së vendit do të zhvillohet më tej falë programit të qeverisë me Bankën Botërore për promovimin e resurseve të Shqipërisë së jugut.

Gjatë periudhës tre mujore qershor-korrik-gusht 2016, në portin e Durrësit kanë hyrë 136 380 shtetas shqiptarë dhe 73 mijë të huaj, ndërkohë që kanë udhëtuar nga ky port drejt porteve italiane 120 632 shtetas shqiptarë e 74 521 shtetas të huaj.