Gjatë fundjavës së datave 18-20 korrik, në portin e Durrësit është regjistruar një fluks i lartë pasagjerësh, në përputhje me rritjen e lëvizjeve në kulmin e sezonit turistik. Sipas të dhënave zyrtare, në total kanë hyrë 13,398 pasagjerë.

Të premten janë regjistruar 3,289 hyrje, të shtunën 4,820, ndërsa dita me më shumë lëvizje rezulton e diela, me 5,289 pasagjerë të ardhur.

Kujtojmë se, duke nisur nga fundjava e kaluar, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas kanë nisur lundrimet e dyfishta, ndërsa që nga ditët e para të korrikut, linja Durrës-Ankona operon me lundrime të përditshme.

Ndërkohë, autoritetet portuale po vijojnë punën me kapacitet të plotë për të përballuar rritjen e numrit të udhëtarëve.