Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka publikuar ditën e sotme një postim në “Facebook” ku shihen disa të dhëna statistikore në lidhje me sektorin e turizmit.

Ibrahimaj e ka cilësuar turizmin si një nga elementët kryesorë, e cila ka ndikuar në rritjen e ekonomisë shqiptare.

Ajo thekson se bizneset kanë pësuar një rritje me 23% gjatë periudhës maj-qershjor 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Këto shifra dhe jo perceptimet që përshfaqen lart e poshtë këto ditë, tregojnë qartë për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm, rritjen e konsumit dhe vlerën që turizmi ka në rimëkëmbjen e ekonomisë”, shkruan Ibrahimaj.

“23% më shumë u rrit qarkullimi i biznesit në sektorin e Hoteleri-Turizmit, referuar deklaratave të TVSH-së për periudhën Maj -Qershor 2022 krahasuar me Maj -Qershor 2021.

Pothuajse të gjithë aktivitetet e këtij sektori rezultuan me rritje, përkatesisht “Akomodime të tjera” me 80% dhe “Hotele dhe struktura të ngjashme” me 57%.

Këto shifra dhe jo perceptimet që përshfaqen lart e poshtë këto ditë, tregojnë qartë për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm, rritjen e konsumit dhe vlerën që turizmi ka në rimëkëmbjen e ekonomisë”, thotë ministrja.

Kujtojmë se Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, nga vlerësimet e tyre për fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, është shprehur bregdeti i Durrësi-Golemit është i vetmi që ka më shumë pushues.

“Si kapacitet i shfrytëzimit të hoteleve dhe plazheve, përveç Durrësit, të tjerët janë më keq se vitin e kaluar”.

Ai thotë se Bregdeti Durrës-Kavajë ka një zënie të kapaciteteve mbi 90%.

Pas Durrësit, më mirë është Velipoja, me 90%.

Bregdeti i Sarandes është mbi 70%; Bregdeti i Vlores 75-80%

Më dobët, sipas tij, këtë vit paraqitet bregdeti i Himarës, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%.