Rritet numri i turistëve të huaj që gjatë sezonit veror kanë vizituar muzetë dhe objektet e trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit të Durrësit.

Arkeologia Eda Çekrezi rrëfen se krahasuar me vitin paraardhës shifrat e vizitorëve në Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatër kanë qenë në rritje, por mbeten ende larg atyre të regjistruar në vitin 2019. Në periudhën qershor – gusht 2021 numri i vizitorëve në Muzeun Arkeologjik ka qenë 4461 persona, ndërsa në Amfiteatër 1958 turistë.

Ditën e sotme, amfiteatri i Durrësit po vizitohej paralelisht nga dy grupe turistësh, nga Belgjika dhe Egjipti. Turistët shfaqën interes të madh për t’u njohur nga afër me trashëgiminë kulturore të Durrësit, ndërsa nuk mohuan faktin se mund ta vizitojnë qytetin bregdetar edhe në të ardhmen.

“Shumë bukur është këtu, por shoh që shumë objekte janë në ndërtim e sipër. Jeni një qytet në zhvillim, e mbase pas 10 vitesh do të jeni një qytet mbresëlënës. Do të na duhet të vijmë sërish këtu”,– thotë një turiste belge.

Arjana Hysa, administratore e Dea Lines, thotë se turistët e huaj, të shoqëruar nga tur operatorët, lëvizin në shumë qytete të Shqipërisë dhe mbresat e tyre nga vendi jonë janë shumë të mira.

Prej disa vitesh tashmë, Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri i Durrësit janë hapur për artdashësit për mbrëmje kulturore apo shfaqje teatrale dhe evente, të cilat kanë gjallëruar jetën artistike në qytetin bregdetar. Të tilla këtë verë kanë qenë të shumta, ndërkohë që pandemia me pasojat e saj negative ka ndërprerë ekspeditat arkeologjike në Amfiteatër.

“Ka pasur shumë pak ekspedita në vendin tonë, në amfiteatër nuk ka pasur. Janë bërë vetëm disa sondazhe nga Instituti Arkeologjik në Forumin Bizantin, ndërsa në Amfiteatër, që nga nisja e pandemisë në vitin 2020, nuk ka pasur më ekspedita”,- thotë Çekrezi.

Ndërkohë në Durrës pritet të vihet në jetë projekti i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), i cili synon kthimin e qendrës historike të qytetit në Park Arkeologjik, ku pritet të investohen rreth 6 milionë dollarë.  

M.B.