21 korrik 2015 – Gjatë stinës së verës, gjithnjë rritet fluksi i udhëtarëve të cilët mbërrijnë me tragete në Portin e Durrësit. Shumica e tyre janë emigrantë të cilët kthehen për të kaluar pushimet në Shqipëri.

Vetëm 4 ditët e fundit, afro 9200 udhëtarë me 2370 automjete kanë mbërritur me tragete në port.

Nga të dhënat e sektorit të statistikave në drejtorinë e APD-së, mësohet se që nga dita e enjte deri të dielën e kaluar në port janë ankoruar 12 tragete me 9152 udhëtarë gjithsej. Në katër ditët e fundit tragetet kanë sjellë gjithashtu 1964 autovetura, 295 kamionë dhe 14 trajlera.

Burimet sqarojnë se disa nga tragetet kanë kryer lundrime shtesë të programuara për periudhën e verës. 

Aktualisht në portin më të madh të vendit ankorohen çdo ditë 3-4 tragete që vijnë nga Bari, Ankona, Trieste dhe Brindizi.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/