Në Kinë është rritur sërish numri i të vdekurve për shkak të koronavirusit COVID-19. Për javë me radhë, numri i viktimave ka qenë i qëndrueshëm në rreth 3300 të vdekur, ndërsa sot u rrit në më shumë se 4600.

Kjo për shkak se qyteti i Wuhan, vendi ku shpërtheu virusi, raportoi 1290 raste të pacientëve që kanë humbur jetën, duke rritur kështu me 50% numrin e vdekjeve.

Autoritetet shëndetësore kineze thonë se këtu janë llogaritur edhe numri i pacientëve që kanë vdekur jashtë spitalit, jo vetëm të të shtruarve.

Ka dyshime që Kina mund të ketë manipuluar shifrat për personat e infektuar dhe viktimat, sikurse ka aluduar më herët edhe Presidenti amerikan Donald Trump. Megjithatë, zyrtarët e qytetit të Wuhan kanë këmbëngulur se nuk po mbulohen të dhënat reale.

Wuhani është vendi ku shpërtheu koronavirusi në dhjetor 2019, kur 11 milionë banorët e këtij qyteti u izoluan për 11 javë nën kushte të rrepta sigurie.