Pasojat që pandemia shkaktoi në aktivitetet ekonomike u reflektuan dhe në tregun e punës, i cili nuk po arrin të rimëkëmbet duke cenuar kryesisht grupet më të prekshme, të rinjtë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti shkalla e papunësisë për këtë grupmoshë arriti në 23.3% me një rritje prej 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Kjo rritje rezulton të jetë më e lartë se ajo në periudhën e karantinës gjatë vitit të kaluar.
Rreth 70% e të rinjve që i përkasin moshës 15-29 vjeç që deklarojnë se janë nxënës ose studentë dhe ekonomikisht jo aktivë.
Megjithatë, të prekura rezultojnë të gjitha grupmoshat. Sipas raportit kriza e Covid-19 e çoi shkallën zyrtare të papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart në 11.9% me një rritje prej 0.5% në krahasim me tremujorin e katërt 2020-ës.
Niveli i papunësisë në këtë periudhe ka arritur nivelet e tremujorit të dytë të vitit 2020, kur vendi ishte në kufizim të plotë.