IGJEUM ka përditësuar edhe njëherë të dhënat për tërmetin e mbrëmjes së të hënës, që tronditi Durrësin.
Nëse në të dhënat paraprake, Instituti i Sizmiologjisë raportoi për një tërmet 3.5 ballë, në përditësimin e fundit fuqia e tërmetit është rritur duke arritur në 3.6 ballë.
Epiqendra ka qenë 25 km në veri të Durrësit (1.8 km J, Shetaj, Durres), ndërkohë që thellësia ka qenë 66 km. Përveç tërmetit të orës 21.57, në Durrës janë regjistruar edhe 3 tërmete të tjera gjatë ditës, me intensitet 2, 2.2 dhe 2.3 ballë.
Tërmeti i mbrëmjes së të hënës, megjithëse me një intensitet jo shumë të lartë riktheu në vëmendjen e durrsakëve frikën e përjetuar në 21 shtator dhe në ditët në vijim, ku qyteti bregdetar u godit nga një tërmet 5.8 ballë, që u pasua nga dhjetëra lëkundje të tjera më të lehta.
Fatura financiare që la pas tërmeti i së shtunës së 21 shtatorit ishte më shumë se 4 milionë euro dëme, 99 shtëpi e pallate të pabanueshme dhe rreth 2100 godina të dëmtuara.





