Pas reagimeve të shumta të qytetarëve për rritjen e tarifave nga One Albania, ka ardhur edhe qëndrimi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Kreu i AKEP, Gentian Sala, bëri të ditur se institucioni është duke e ndjekur nga afër situatën dhe është në komunikim të vazhdueshëm me operatorin.
Sipas tij, gjatë javës së kaluar është diskutuar konkretisht për këtë çështje dhe nuk përjashtohet mundësia e një vendimi nga ana e autoritetit.
“Kemi komunikim të vazhdueshëm me operatorin telefonik, por edhe javën që kaloi specifikisht për këtë çështje. Nëse ka vend për vendim, do marrim një vendim; për çdo ankesë do ketë një përgjigje”, u shpreh Sala.
Rritja e tarifave, që pritet të hyjë në fuqi më 1 maj 2026, ka shkaktuar pakënaqësi te abonentët, të cilët e konsiderojnë të padrejtë, duke argumentuar se çmimet rriten ndërsa cilësia e shërbimit mbetet e njëjtë.
Sipas kompanisë, tarifat do të rriten deri në 2.2%, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT. Megjithatë, përdoruesit theksojnë se rritjet e vogla, por të përsëritura çdo vit, po kthehen në një kosto shtesë për buxhetet familjare.





