Drejtuesi i Departamenteve pranë Partisë Demokratike Durrës, Ivo Jorgoni ka reaguar përmes një statusi në rrjete sociale për rritjen e çmimit të aboneve mujore të linjave të urbanit.
Ndërsa ka bërë share shkrimin e DurrësLajm lidhur me rritjen e çmimit të aboneve dhe kundërshtinë e 4 anëtareve që me votë treguan se nuk ishin pro shtrenjtimit të biletës mujore për qytetarët durrsakë që përdorin autobuzët, Jorgoni pyet: “Pro” kujt votuat?
Në postimin e tij, ish-këshilltari bashkiak nënvizon se me këtë vendim të marrë nga këshilltarët që votuan Pro po goditen kategoritë më në nevojë të shoqërisë.
“Ka dhe njerëz që qëndrojnë në radhë deri në 4 të mëngjesit për një abone.
Pikërisht këta të fundit janë ata më në nevojë të cilët padyshim kërkojnë përkrahje në këto ditë të vështira ekonomike , por jo!
Ky Këshill Bashkiak një partiak dhe kjo Bashki pa Kryetar në vënd që të mendojnë për njerëzit në nevojë vazhdojnë me “qokat” deri ditën kur vota do ti heqe kolltukun nga të ndenjurat duke i fikur dhe skype”,- shkruan Jorgoni.
Kujtojmë se Këshilli Bashkiak Durrës miratoi një ditë më parë vendimin për rritjen e çmimit të aboneve mujore të linjave urbane me 31 vota pro. Vetëm 4 këshilltaret Flutura Kasa, Violeta Muhedini, Morena Boja dhe Etleva Velçani votuan kundër kësaj rritjeje.
Çmimi i abonesë për një linjë u bë 1200 lekë (ishte 900 lekë), ndërsa 1600 lekë u bë aboneja e vlefshme për të gjitha linjat (ishte 1200 lekë). E vetmja që nuk pësoi ndryshim nga 3 abonetë mujore që përdoren në 6 linjat e transportit publik në Durrës ishte aboneja e studentit, që mbetet në vlerën 600 lekë.
Një ditë para mbledhjes së Këshillit Bashkiak, reagoi edhe kreu i FRPD Durrës Artjon Barjamaj, i cili u bëri apel këshilltarëve të votonin kundër kësaj rritjeje.





