Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula me anë të një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me situatën e rritjes së çmimeve të produkteve të bulmetit në vend.

Sipas tij, kjo rritje është një dëshmi se Bordi i Çmimeve është një mekanizëm vjedhës për qytetarët shqiptarë.

Ai shtoi se të gjithë kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive me një sjellje monopoliste, ndërsa vijoi më tej duke inkurajuar veprimin e Autoritetit të Konkurrencës për nisjen e hetimit për këtë rritje.

Postimi:

“Hajdutët” që e trajtojnë qumështin si produkt luksi.

Që Bordi i Çmimeve është një mekanizëm vjedhës për qytetarët shqiptarë, kjo u dëshmua sërish.
Çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij janë rritur në mënyrë abuzive deri në 37%, ndërsa bordi e miraton në heshtje një vjedhje të tillë.
Kjo qeveri ndër të gjithë bëmave të zeza do mbahet mend edhe si ajo që e trajtoi Qumështin, Djathin e nënproduktet e tjera si mallra luksi.
Me gisht duhet të drejtohen qytetarët edhe ndaj një grushti personash që kontrollojnë çmimet e produkteve të qumështit. Në një sjellje monopoliste të gjithë kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive duke ua vështirësuar edhe më tepër jetesën. Me ndërhyrjet e tyre arrijnë të depërtojnë deri në qeveri për të hequr taksa të ndryshme, por çmimet për qytetarët sërish mbesin nga më të lartat.
Inkurajoj veprimin e Autoritetit të Konkurrencës i cili ka reaguar lidhur me informacionet për rritje me 37 % të çmimeve të bulmeteve në vend.
AK njofton se ka vendosur ngritjen e një grupi pune për të parë situatën në terren dhe për të evidentuar shkeljet e ligjit ndërkohë ka lajmëruar se shkelësit e ligjit për “mbrojtjen e konkurrencës” do të sanksionohen me gjobë deri në 10 % të xhiros së vitit financiar paraardhës. Ndonëse e vonuar, e inkurajoj këtë hetim dhe të mos ndalen përball joshjeve që mund të ketë rrugës.
Ndërkohë edhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet të vonojë më tej vendimin për shkrirjen e bordeve. Çdo ditë e më shumë po dëshmohet si vidhen qytetarët.