Shoqata e bukës ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimit të miellit.

Në një postim në “Facebook” thuhet se kanë kontaktuar me drejtuesit e fabrikave të miellit, të cilët nuk i pranojnë këto çmime dhe abuzimet që po bëhen në rrethe.

Kjo shoqatë u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e abuzimeve në këto ditë sidomos në rrethe.

Të nderuar kolegë, kemi shumë telefonata veçanarisht nga rrethet që na ankohen për çmime të ndryshme të shitjes së miellit .

Ne si Kryesi kontaktuam me drejtuesit e fabrikave të cilet nuk i pranojnë dhe vet këto çmime dhe nuk janë dakort me këto abuzime çmimesh, sidomos në rrethe, ndaj ne ju bëjmë thirrje që para se të bëni furnizime me miell por dhe me produkte të tjera, do ju luteshim që të kontaktoni direkt me Drejtuesit e Fabrikave.

Bëni rakordimin e nevojshem, dhe merrni atë miell në atë fabrikë që juve ju intereson si për cilësinë ashtu dhe për çmimin. Neve si Kryesi jemi të gatshëm tju japim informacion e nevojshëm për shitjen e çmimit të miellit.

Mos bini pre e abuzimeve që mund të bëhen, sepse në këtë periudhë ndodh të bëhen abuzime të tilla sidomos në rrethe, pasi Tirana ështe me e kontrollueshme nga Drejtuesit e Fabrikave të miellit”– thuhet në reagimin e shoqatës së bukës.