Rritja e çmimit të naftës në bursë e ka vënë sektorin e peshkimit në Durrës në një situatë mjaft të vështirë. Sipas Klodian Kapitit, kreut të sindikatës së peshkimit, sektori është thuajse i paralizuar.

Rritjes së çmimit të naftës u shtohen edhe taksat vjetore, që flota e peshkimit duhet të paguajë dhe për këtë arsye, shumë anije janë në kufijtë e mbijetesës në treg. Përgjatë këtyre javëve, flota ka punuar vetëm me rezervat e karburantit, të blera kur çmimi ishte më i ulët. Duke qenë se po i afrohemi sezonit veror, kur rritet ndjeshëm kërkesa për produkte të freskëta deti, Kapiti deklaron se mund të ketë mungesë të tyre në treg.

“Nafta, në anijet e peshkimit, po e kaloi shifrën 700 lekë me TVSH, bëhet shumë e vështirë për ne të punojmë. Aktualisht është 1500 lekë me TVSH, shumë i lartë”,– deklaroi Kapiti.

Sindikata e peshkimit i është drejtuar me propozime konkrete Ministrisë së Bujqësisë për të gjetur një zgjidhje për këtë shqetësim të flotës së anijeve.

“Ne si sindikatë kemi çuar propozimet tona në ministrinë e Bujqësisë, por ato kanë mbërritur edhe në qeveri. Duhet të ketë një ndërhyrje, një rregullim të çmimit të naftës brenda bursës, që anijet ta kenë të mundur ta blejnë karburantin dhe të vazhdojnë punën normalisht”,– tha kreu i sindikatës së peshkimit.

Kapiti nënvizoi gjithashtu, se gjatë këtyre negociatave, ata kanë gjetur mirëkuptimin e ministrisë së linjës dhe shpresojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë, që do t’i vijë në ndihmë flotës së anijeve.   

Durrësi është qyteti me numrin më të madh të restoranteve të peshkut në shkallë vendi dhe është një industri e tërë që funksionon në shërbim të sezonit turistik, kur rritet ndjeshëm numri i pushuesve. Flota e peshkimit është furnizuesi numër nr.1 me prodhime të freskëta deti për restorantet dhe hotelet. Nëse anijet e peshkimit do të penalizohen prej çmimit të naftës, me qindra peshkatarë që sigurojnë të ardhurat për familjen rrezikojnë të mbeten të papunë.

M.B.