Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për rritjen e çmimit të ujit në Bashkinë Tiranë ndërsa denoncon se shumë zona në kryeqytet sipas tij janë pa ujë.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se “e vetmja gjë që nuk ndalet në Shqipëri janë pagesat e inceneratorëve”.

Po ashtu, ai lajmëron se gjatë këtyre ditëve Partia e Lirisë ka nisur disa kërkesa dhe procedura që kanë të bëjnë me transparencën në lidhje me rritjen e çmimit mbi 40 për qind.

“Vetëm në Bashkinë e Tiranës, në këto ditë kemi nisur disa kërkesa dhe disa procedura shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me transparencën përsa i takon ujit të pijshëm, ku është rritur çmimi mbi 40%, ndërkohë që zona të tëra të Tiranës janë pa ujë; me pamundësinë e shumë familjeve për t’i çuar fëmijët për t’i regjistruar në kopshtet dhe çerdhet publike, sepse nuk ka kopshte dhe çerdhe, sepse lekët e tyre, pra lekët për arsimin shkojnë tek inceneratorët, siç vazhdojnë dhe këtu në Elbasan pagesat për inceneratorët.”, shkruan Meta.