Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar pas shqetësimit të qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Autoriteti i Konkurrencës njofton se prej disa javësh ka vendosur tregun e karburanteve nën monitorim dhe që nga data 25 shkurt ka nisur hetimin në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë.
Në njoftim, theksohet se qëllimi i Autoritetit të Konkurrencës është “mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, duke përcaktuar rregullat e sjelljes së ndërmarrjeve, si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e konkurrencës dhe përgjegjësitë e tyre” dhe se ky institucion nuk është projektuar ligjërisht për të luftuar çmimet abuzive në vetvete, kur këto çmime nuk janë pasojë e shfrytëzimit të pozitës dominuese në treg të një a më shumë ndërmarrjeve apo marrëveshjeve të ndaluara.
“Shumica absolute e autoriteteve të konkurrencës nuk kanë as hapësirën ligjore, por as burimet njerëzore, ekspertizën përkatëse dhe informacionin e përditshëm e të gjithanshëm për të qenë edhe autoritet për rregullimin e çmimeve. Çfarë mbetet të bëjnë autoritetet e konkurrencës në pamundësi për të rregulluar çmimet e padrejta, është transparenca me publikun, gjë për të cilën Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës është plotësisht i përkushtuar. Ne, më së paku do të bëjmë publike të gjitha gjetjet tona në përfundim të hetimit që kemi nisur, dhe më së shumti, do të ndëshkojmë përmes gjobave çdo abuzues të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, nëse provohet shtrembërim i konkurrencës. Sjellim në vëmendjen tuaj, se hetimet e Autoritetit të Konkurrencës kërkojnë kohën e tyre, pasi janë procese të komplikuara marrje, kryqëzimi e analizimi të dhënash të shumta e specifike, në mënyrë që vendimi të jetë i bazuar në ligj dhe prova. Akoma më tej, vendimi në fjalë do t’i nënshtrohet edhe procesit gjyqësor, që do kërkojë kohën e vet. Sa më i bazuar në ligj dhe prova një vendim i Autoritetit të Konkurrencës, aq më e vështirë do të jetë për abuzuesit, të ankimojnë dhe të rrëzojnë vendimet e Autoritetit në gjykatë. Zgjatja në kohë është edhe një nga arsyet përse legjislacioni në Shqipëri dhe në shumicën e vendeve të botës nuk i ka ngarkuar autoritetet e konkurrencës edhe me kompetencën e rregullimit të çmimeve.
Në këto raste, kur përmes legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës është e pamundur ndërhyrja për rregullimin e çmimeve, shtetet moderne, të quajtura edhe si “shtete të mirëqenies sociale”, kanë adoptuar me legjislacion instrumenta të tjera që sigurojnë stabilizimin e përkohshëm të disa çmimeve, veçanërisht ato që konsiderohen si “të shportës” e që janë tepër të ndjeshme për qytetarët, apo për subvencionimin e disa shërbimeve publike për shtresat në nevojë.
Ndaj, disa nga kërkesat tuaja mund e duhet të adresohen, e me gjasë të gjejnë zgjidhje, pranë institucioneve të tjera publike, pasi në respekt të instrumentave që ligji na ka dhënë, për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës, të cilat duhet të jenë të bazuara në ligj e prova (që t’iu qendrojnë edhe ankimeve në gjykatë), i japin efektet e tyre të shtrira në kohë”.