Rritja e vazhdueshme e pagës minimale në Shqipëri po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha për industrinë fason, një sektor që prej dekadash ka qenë ndër punëdhënësit kryesorë në vend dhe një motor i rëndësishëm i eksporteve.

Në muajin janar shumë fabrika të vogla dhe të mesme janë mbyllur pasi nuk kanë përballuar kostot e larta të pagës minimale, që nga 40 mijë lekë më 2025 u bë në 50 mijë lekë në 2026, tha Florian Zekja nga Shoqata ProEksport.

Kjo mbyllje është reflektuar dhe në rënien e eksporteve të tekstileve e këpucëve në muajin e parë të këtij viti. Ky sektor shiti 8 miliardë lekë në janar 2026, me rënie prej 5.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Zoti Zekja tha se industria fason funksionon me marzhe të ulëta fitimi dhe me kontrata të lidhura kryesisht me tregjet europiane, ku çmimet përcaktohen nga konkurrenca globale. Ndaj çdo rritje e kostove të punës reflektohet menjëherë në strukturën financiare të kompanive. Ndryshe nga sektorët e tjerë që mund të transferojnë kostot te konsumatori final, fasoneria shpesh nuk ka këtë luks, pasi punon me porosi dhe çmime të paracaktuara nga partnerët e huaj, duke bërë që shumë kompani të ndërpresin aktivitetin, tha ai.

Paga minimale në janar ishte 25% më e lartë se në 2024 dhe 66 % më e lartë se në 2021, duke synuar rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e standardeve të jetesës. Megjithatë, për fabrikat prodhuese, kjo rritje po përkthehet në një presion të fortë mbi kostot dhe konkurrueshmërinë.

Rritja e pagës minimale nuk ndikon vetëm te paga bazë. Ajo shoqërohet me rritje të kontributeve shoqërore, sigurimeve dhe kostove të tjera të lidhura me fuqinë punëtore. Për një fabrikë me qindra punonjës, ndikimi shumëfishohet, duke e bërë çdo vendim për rritje pagash një barrë të drejtpërdrejtë mbi bilancin financiar.

Kjo situatë po përforcohet edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm. Kërkesa nga jashtë ka rënë, kostot logjistike janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa konkurrenca nga vendet e rajonit dhe Azisë mbetet e fortë. Shtete të Azisë ofrojnë kosto më të ulëta të punës, duke i bërë më tërheqëse për porositësit ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, çdo rritje e kostove në Shqipëri e dobëson pozicionin konkurrues të fabrikave vendase.

Eksportet e tekstileve e këpucëve vijojnë të jenë grupi më i madh eksportues në vend me 30% të totalit.

Operatorët e sektorit paralajmërojnë se rritja e shpejtë e pagës minimale, pa politika mbështetëse për industrinë, po nxit më tej mbylljen e fabrikave dhe po zhvendos prodhimit drejt vendeve më të lira. Kompanitë italiane Cofra dhe Cotonela të cilat kanë pasur bazat e prodhimit në vendin tonë janë tërhequr dhe kanë reduktuar kapacitetet, të tjera po shqyrtojnë zhvendosjen e një pjese të prodhimit jashtë vendit.

Rreziku kryesor është humbja e vendeve të punës. Fasoneria punëson dhjetëra mijëra persona, veçanërisht gra dhe punonjës në qytete të vogla, ku alternativat e punësimit janë të kufizuara. Mbyllja e këtyre linjave do të kishte pasoja sociale dhe ekonomike të ndjeshme për komunitetet lokale./ MONITOR