Z/Drejtori për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet, Drejtues Gani Zeneli së bashku me Shefin e Seksionit të Policimit në Komunitet, Komisar Shkelqim Selmanaj dhe Policët e Zonave, në vijim të rritjes së sigurisë në shkolla kanë vijuar takimet me drejtues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qarkun e Durrësit. Ditën e sotme u zhvillua takim në shkollën e mesme "Olsi Lasko".
Vetëm falë komunikimit dhe bashkëpunimit midis dy institucioneve polici-arsim do të mundësohet një ambient më i sigurt në institucionet mësimdhënëse duke i garantuar rendin dhe qetësinë çdo nxënësi.
Zeneli theksoi rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të personave të paautorizuar që tentojnë të hyjnë në ambientet e shkollave, persona me precedentë kriminalë që mund të afrohen në mjediset e jashtme të shkollave duke shërbyer si burim për implikim të nxënësve në veprime antiligjore si në mbajtjen dhe përdorimin e llojeve të ndryshme të drogave apo mjeteve të ftohta.
Takime të tilla do vijojnë në të gjitha shkollat e Qarkut Durrës duke i shtrirë edhe me takime sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese edhe tek nxënësit me zhvillimin e temave e të ndryshme në parandalimin e përdorimit të lëndëve narkotike, alkooli dhe duhanit, trafikimin apo dhunën nëpër shkolla.





