TIRANE, 7 dhjetor 2013  –Ministria e Financave ka përgatitur dy skenarë për rritjen e taksës së karburanteve, e cila do të përkthehet në shtim deri në masën 4.6% të çmimit final për konsumatorin. Rritja e taksës së zhdoganimit të karburanteve propozohet nga Ministria e Financave përmes paketës së re fiskale, e cila do të hyjë në fuqi në vitin 2014. Skenari i parë parashikon që rritja e taksës të shoqërohet me rritje të çmimit final me 2.6% deri në 3%, ndërsa skenari i dytë parashikon rritje edhe më drastike të çmimit për konsumatorin: Nga 4.2% deri në 4.6%. Ndërkaq, nga skenari i parë ministria parashikon të shtojë me 32 milionë dollarë të ardhurat në arkën e shtetit, ndërkohë që përmes të dytit, 46 milionë dollarë. 

Skenari i parë 
"Taksa e qarkullimit rritet me 5 lek/litri për naftën dhe 4 lek/litri për benzinën. Aktualisht taksa e qarkullimit është 7 lek/litri për naftën dhe 7 lek/litri për benzinën", shkruhet në draftin e Ministrisë së Financave për paketën e re fiskale. Kjo masë do të shoqërohet me rritje të çmimit final me 2.6% deri në 3% nëse rritja e taksës transpozohet 100% në rritjen e çmimin. Kjo rritje mund të jetë më e lartë për arsye të abuzimit të kompanive të tregtimit të karburanteve me rritjen e taksave. "Risku kryesor është rritja e kostos së jetesës së individëve që përdorin në masë makinat sepse transporti publik nuk është shumë i zhvilluar në Shqipëri, si dhe rritje e kostos së bizneseve", theksohet në draft. Efekti vlerësohet 3.2 miliard lek, nga të cilat 2.7 miliard lek nga rritja e taksës së qarkullimit dhe 540 milion lek nga të ardhurat shtesë nga TVSH-ja si taksa e fundit që aplikohet. 

Skenari i dytë 
Skenari i dytë për taksën e qarkullimit parashikon që taksa e qarkullimit të rritet me 7 lek/litri për naftën dhe 7 lek litri për benzinën. "Kjo masë do të shoqërohet me rritje të çmimit final me 4.2% deri në 4.6% nëse rritja e taksës transpozohet 100% në rritjen e çmimin. Kjo rritje mund të jetë më e lartë për arsye të abuzimit të kompanive të tregtimit të karburanteve me rritjen e taksave. Risku kryesor është rritja e kostos së jetesës së individëve që përdorin në masë makinat sepse transporti publik nuk është shumë i zhvilluar në Shqipëri, si dhe rritje e kostos së bizneseve", thekson në draft ministria. Efekti vlerësohet 4.6 miliard lek, nga të cilat 3.9 miliard lek nga rritja e taksës së qarkullimit dhe 780 milion lek nga të ardhurat shtesë nga TVSH-ja si taksa e fundit që aplikohet. 

/GazetaShqiptare/