10 gusht 2015 – Një vit më parë një qese me hashash kushtonte rreth 500 lekë të rinj, kurse këtë vit e njëjta sasi kushton sa trefishi i çmimit, konkretisht një qese me hashash sot e gjen për afro 1500 lekë të rinj.

Rritjen e çmimeve të hashashit e tregon një specialist i sektorit të Antidrogës në polici për “Gazetën Shqiptare”, i cili shpjegon se si kanë ndryshuar ato në tregun me pakicë dhe me shumicë.

Nëse një vit më parë një kilogram kanabis sativa shkonte 300 ose 400 euro, këtë vit çmimi është rritur pothuajse 6-­fish. Pas operacionit të Lazaratit, një kilogram hashash tashmë shkon 2400-­2600 euro.

Madje, edhe cilësia e drogës ka rënë, nëse më parë ajo ka qenë shumë e mirë, këtë vit po shitet droga që ka mbetur, e një cilësie shumë të dobët, shpjegon eksperti i Antidrogës.

Çmimi është rritur për shkak se oferta në treg ka qenë shumë e vogël ndërsa kërkesa ka qenë shumë e madhe.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/