Data e fundit e regjistrimeve të nxënësve në arsimin 9-vjeçar e të mesëm është data 8 shtator. Për herë të parë gjatë dekadës së fundit në Durrës, në prag të këtij fillim viti shkollor është vënë re një rritje e dukshme e numrit të nxënësve që regjistrohen në arsimin bazë dhe në atë të mesëm.

Nëse deri në 2016-n numri i nxënësve ka qenë në regres nga viti në vit, për shumë arsye. Viti arsimor 2017- 2018 shënon për herë të parë rritje me 40% të nxënësve që regjistrohen për herë të parë në klasat e para. Ndërsa rritje me rreth 10 % pritet të shënohen në shkollat e mesme dhe ato profesionale.

Drejtoresha e Arsimit në Durrës, Lindita Muka, deklaroi se pak ditë nga mbyllja e regjistrimeve në shkolla, vërehet se ka një rritje të ndjeshme të numrit të nxënësve si në arsimin bazë edhe në atë të mesëm.

Në 2016-n u regjistruan 1050 nxënës në klasën e parë, ndërsa deri tani për vitin 2017-2018  janë regjistruar 1484 nxënës.

Në klasën e 10-të në 2016-n u regjistruan 860 nxënës, ndërsa për këtë vit arsimor numri është 920 nxënës. I njëjtë është edhe trendi në shkollat profesionale.  

Tri janë faktorët që kanë ndikuar në rritje të numrit të nxënësve:

1.Lindshmëria mund të jetë rritur në vitin 2011, por kjo kërkon një studim më të detajuar.

2.Shumë familje janë deportuar nga autoritetet ku kërkuan azil ekonomik, dhe po regjistrojnë fëmijët në shkolla.

3.Familje të ndryshme nga zonat rurale në Shqipëri mund të kenë mbërritur në Durrës, por edhe kjo mbetet për t’u studiuar.

Me rritjen e numrit të nxënësve në klasa shkollave iu rritet përgjegjësia për sistemin e tyre, sepse shtohet edhe mbingarkesa në shkolla, ndërkohë që numri i nxënësve nuk duhet t’i kalojë 35 për çdo klasë mësimore.

K.H.